top of page

2020

klinikË private

Gjakovë

Investim Privat

Dizajn Enterier

160 m2

Fla Med është një klinikë private, në afërsi të Spitalit Rajonal të Gjakovës. Projekti u konceptua rreth idesë së ndarjes së pjesës publike (salla, zona e pritjes dhe tualetet) nga pjesa private (dhomat e vizitave dhe hapësirat e kirurgjisë) duke siguruar një komunikim të mirë midis këtyre zonave. Hapësira shfrytëzohet në maksimum duke siguruar funksionet themelore të një klinike duke japë vëmendje ndaj detajeve. Korridori prej nga mund të aksesohen të gjitha dhomat e vizitave, ka zonën e pritjes dhe recepcionin. Hapësira është vetëorientuese dhe e ndriçuar mirë. Zonat e pritjes (të uljes) janë të organizuara në dy zona, gjegjësisht në hollin hyrës dhe korridorin e ngushtë drejt fundit të klinikës, për të qenë afër dhomave respektive të vizitave.

Nga dera e hyrjes, tavani me relief dhe ngjyra i drejton pacientët drejt recepcionit ku mirren informacionet dhe bëhet komunikimi me dhomat e vizitave. Recepcioni është elementi i parë që haset nga hyrja, prandaj për shkak të performancës së tij reprezentative, ai u konceptua si pika qendrore e hapësirës. Dhomat e vizitave janë modeste sa i përket hapësirës, por të mjaftueshme për funksionet e kërkuara dhe të domosdoshme, me shprehje të thjeshtë të dizajnit duke përdorur lojë në teksturë dhe materialitet.

Hapësirat janë të ndriçuara mirë, veçanërisht në dhomat e vizitave ku drita është thelbësore. Drita sigurohet nga trupat ndriques dhe përmes thellimeve në tavan me burim drite.

Materialet janë zgjedhur me kujdes në lidhje me performancën e tyre në çështjet e higjienës dhe ndikimin që ata kanë në perceptimin psikologjik të hapësirës. Nuancat e ngjyrës blu dhe drurit janë përdorur me vetëdije të plotë, për të krijuar një efekt qetësues dhe ambient të ngrohtë për psikologjinë e pacientit. Mobiljet, si dhe pajisjet e tjera sanitare u zgjodhën me kujdes me të njëjtën ide të përdorimit dhe asepsës.

bottom of page